Të dënuarit E.A. i refuzohet ankesa për shtyrje të ekzekutimit të dënimit më burgim

Të dënuarit E.A. i refuzohet ankesa për shtyrje të ekzekutimit të dënimit më burgim

Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 24.06.2020, me anë te cilit atij i është hedhur si e pa lejuar kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, është vërtetuar

Prishtinë, 01.07.2020 – Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të bazuar ankesën e të dënuarit E.A. Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 24.06.2020, me anë te cilit atij i është hedhur si e pa lejuar kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, është vërtetuar. 

E.A. më anë të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 20.04.2018, aktgjykim ky i cili është ndryshuar nga Gjykata e Apelit më 20.08.2019, është shpallur fajtor për veprën penale “Mashtrim në subvencione”  nga neni  paragrafi 3,lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe është dënuar me dënim me burgim prej 1 vjet e 3 muaj. 

Gjykata Themelore në Prishtinë, më anë të aktvendimit të datës 24.06.2020, e ka hedhur si të pa lejuar kërkesën e të dënuarit për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e obliguar të njëjtin që pas marrjes se vendimit, të paraqitet pran institucionit korrektues për mbajtje të dënimit. 

Sipas vlerësimit të Kryetarit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë, drejtë ka vlerësuar se kërkesa e mbrojtësit të dënuarit për shtyrje të dënimit, në rastin konkret, është e palejuar, për shkak se nga shkresat e lëndës shihet se të dënuarit me parë, i është lejuar shtyrja e vuajtjes së dënimit dy herë, për nga 2 (dy) muaj, ndërsa tani i dënuari nëpërmjet mbrojtësit të tij ka paraqitur për të tretën herë kërkesë. Andaj, duke u bazuar në dispozitat e nenit 20, paragrafi 3 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, i cili përcakton se: “i dënuari mund të kërkoj shtyrjen e ekzekutimit të dënimit më së shumti dy herë për cilën do nga arsyet e parashikuar me këtë nen”, dhe duke u nisur nga fakti se i dënuari dy herë më parë e ka shfrytëzuar këtë të drejtë, e drejta për të kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg tani është konsumuar.