Të akuzuarit për marrje ryshfeti, i ashpërsohet dënimi më burgim, dhe i ndalohet ushtrimi i funksionit për 5 vjet

Të akuzuarit për marrje ryshfeti,  i ashpërsohet dënimi më burgim,  dhe i ndalohet ushtrimi i funksionit për 5 vjet

Prishtinë, 17.03.2021- Gjykata e Apelit, më aprovimin e pjesshëm të ankesës së prokurorisë, por edhe sipas detyrës zyrtare, ia ka ashpërsuar dënimin më burgim të akuzuarit G.R.

Kështu,  nga 1 vjet burgim sa ishte dënuar muaj më parë,  nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë,  për veprën penale “Marrje ryshfeti”, atij i është rritur dënimin në 2 vjet e gjysmë. 

Gjykata e Apelit po ashtu, të akuzuarit ia ka shqiptuar edhe dënimin plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 5 vjetëve, i cili do të ekzekutohet pas vuajtjes se dënimit me burg. Ndërsa dënimin me gjobë prej 3 mijë eurove, e ka marr si të vërtetuar. 

Gjykata e Apelit, gjeti se gjykata e shkallës së parë,  nuk ka vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese dhe rënduese, dhe kjo ka ndikuar në shqiptimin e një dënimi jo të drejtë,  në raport me veprën e kryer.

Apeli e ka marr si rrethanë renduese faktin se i akuzuari i ka shfrytëzuar, hapësirat e një restoranti për aktivitetin e tij korruptiv. Pastaj si rrethana tjera  renduese janë vlerësuar, pasojat e rënda të veprës penale si dhe pesha e pozitës zyrtare të akuzuarit.

Nisur nga këto Apeli vendosi sikur u tha më lartë, me bindjen se dënimi i shqiptuar,  është në përputhje me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe me intensitetin e rrezikimit të vlerave të mbrojtura të shoqërisë.