Mbetet në fuqi masa e paraburgimit, kundër të pandehurit P.C.

Mbetet në fuqi masa e paraburgimit, kundër të pandehurit P.C.

Prishtinë, 23.04.2021- Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e avokatit mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit P.C.

Në këtë mënyrë, kjo gjykatë e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 16.04.2021, sipas të cilit i pandehuri duhet të qëndroj nën këtë masë deri më 13.05.2021.

P.C. po dyshohet nga ana e prokurorisë se ka kryer dy vepra penale: “Mbajtja  në pronësi, kontroll, apo posedim të paautorizuar të armëve”  nga neni 366 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale: “Posedimi i paautorizuar  i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”  nga neni 269 par.1 i këtij kodi.

Gjykata e Apelit,  vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masës së lartëcekur ndaj tij, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se ai e ka kryer veprat penale, për të cilën po dyshohet, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen në liri, ai  mund të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale, duke ndikuar në prova ose dëshmitarë, ose edhe ta përsërisë atë. Gjykata konstatoj se aplikimi i ndonjë mase tjetër më të butë, në këtë fazë nuk është i përshtatshëm.