Gjykata e Apelit ka vendosur në rastin ndaj të akuzuarit R.B.

Gjykata e Apelit ka vendosur në rastin ndaj të akuzuarit R.B.

Prishtinë, 08.08.2022 – Me aktgjykimin e Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, është ndryshuar aktgjykimi dënues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ashtu që i akuzuari R.B., është liruar nga akuza për shkak të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të KPRK-së.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PS.nr.12/21 të datës 14.04.2022 ishte shpallur fajtor i akuzuari R.B., për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 81 të KPRK-së, dhe ishte gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 5000 (pesëmijë) euro.

Gjykata e Apelit me aktgjykimin APS.nr.20/2022 të datës 28.07.2022, e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit dhe e ka ndryshuar aktgjykimin dënues, me arsyetimin se gjetjet e gjykatës së shkallës së parë nuk kanë qenë të drejta, me rastin e konstatimit të përgjegjësisë penale të të akuzuarit, për faktin se nuk është vërtetuar dashja apo qëllimi i të akuzuarit për të kryer veprën penale, që nënkupton se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale, për të cilën akuzohej.

Sipas kolegjit të Apelit, jo çdo shkelje përkatësisht çdo tejkalim apo çdo mos përmbushje e detyrave zyrtare konsumon veprën penale të Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit nga neni 422 paragrafi 1 i KPRK-ës, ngase në mungesë të dashjes, shkeljet e tilla mbesin në kategorinë e shkeljeve administrative. Në këtë kontekst, veprimet në shkelje të detyrës zyrtare duhet të manifestohen përmes dashjes së drejtpërdrejt të të akuzuarit, ndërsa përgjegjësia penale duhet të ndërlidhet me qëllimin e kryerësit, i cili qëllim duhet të manifestohet përmes veprimeve, respektivisht të vijë deri te manifestimi i qëllimit për përfitim për vete apo tjetrin apo dëmtim të personit tjetër, qëndrim ky i konsoliduar edhe nga praktika gjyqësore.

Ndërsa, ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës u vlerësua si jo lëndore, për faktin se pretendimet ankimore ishin vetëm në drejtim të sanksionit penal, e që me ndryshimin e aktgjykimit në atë lirues pretendimi është i pa objekt.

Me qëllim të informimit sa më të drejtë dhe të saktë në lidhje me këtë çështje penale, në fund të kësaj komunikate gjendet aktgjykimi i anonimizuar i Gjykatës së Apelit të Kosovës.