Ndryshohet aktgjykimi dënues ndaj të akuzuarit G.R., për shkak të veprës penale vrasje e rëndë vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale

Ndryshohet aktgjykimi dënues ndaj të akuzuarit G.R., për shkak të veprës penale vrasje e rëndë vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale

Prishtinë, 28 mars 2023 – Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit Special, është aprovuar pjesërisht ankesa e mbrojtësit së të akuzuarit G.R., ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është ndryshuar, vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 147 pika 3, 5 dhe 7 lidhur me nenin 23 të KPK, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor ashtu që në veprimet e të akuzuarit, gjykata e shkallës së dytë gjeti se janë përmbushur elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 147 paragrafi 7 lidhur me nenin 23 të KPK, është refuzuar si e pabazuar ankesa e përfaqësuesit së të dëmtuarve av. B.T. sa i përket sanksionit penal, ndërsa pjesa tjetër aktgjykimit ka mbetur e pandryshuar.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.835/2020, të datës 05.12.2022, i akuzuari G.R., për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 147 pika 3, 5 dhe 7 lidhur me nenin 23 të KPK, është gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) vite, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 30.04.2009 deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Gjykata e Apelit me aktgjykimin APS.nr.3/2023, të datës 20.02.2023,e ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit G.R., e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e përfaqësuesit së të dëmtuarve av. B.T. sa i përket sanksionit penal, ndërsa ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë Departamenti për Krime të Rënda. Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë ka theksuar se pretendimet ankimore për sa i përket cilësimit juridik janë të bazuara pasi që në rastin konkret duhet të rezultojë cilësimi i drejt mbi formën dominuese të veprës penale të vrasjes së rëndë pavarësisht se rrethanat nën të cilat është kryer vepra penale shpërfaqin edhe dinakërinë dhe formën mizore, por që këto fakte të dinakërisë dhe të formës mizore duhet marr për bazë në rrethanat për dënim. Ndërsa sa i përket pretendimeve ankimore të parashtruara nga përfaqësuesi i të dëmtuarve, av. B.T., kolegji i gjykatës e shkallës së dytë ka theksuar se dënimi është në përputhshmëri me dispozitat ligjore, dhe se rrethanat e vlerësuara që kanë ndikuar në dënimin e të pandehurit ky kolegj i pranon në tërësi, ndërsa ne mungesë të ndonjë rrethane lehtësuese për të cilat pretendon mbrojtja, kolegji gjen se dënimi është në përputhje me dispozitat ligjore dhe me vet qëllimin e dënimit.

https://www.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2023-013696_SQ.pdf