Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës së Apelit vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, përmes së cilit ka gjobitur ATK për përpunimin e kundërligjshëm të të dhënave personale

Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës së Apelit vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, përmes së cilit ka gjobitur ATK për përpunimin e kundërligjshëm të të dhënave personale

Prishtinë, 11 nëntor 2024 – Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Administratës Tatimore të Kosovës dhe ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.364/22, të datës 29.11.2023.

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative, sipas aktgjykimit A.nr.364/22, të datës 29.11.2023, ka refuzuar si të pabazuar padinë dhe kërkesëpadinë e paditëses Administratës Tatimore të Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar që të anulohet vendimi i të paditurës Agjencisë për Informim dhe Privatësi Nr.04/22, të datës 24.01.2022, ku pala e paditur ka shqiptuar gjobë ndaj ATK, në vlerë prej 20.000 euro (njëzetmijë), për përpunimin e kundërligjshëm të të dhënave personale, si dhe e njëjta është urdhëruar të bëjë largimin e listave me të dhënat personale të personave fizik, borxhet e të cilëve janë falur e si të tilla janë publikuar në web faqen zyrtare të saj, si dhe të bëjë shkatërrimin e këtyre listave.

Gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative dhe Ligjit për Procedurën Kontestimore, për të cilat shkaqe kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare, rrjedhimisht ka vlerësuar se edhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

Ndër tjerash, kjo gjykatë ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar është i qartë dhe i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e tij janë dhënë arsyet e mjaftueshme për faktet vendimtare, ashtu që gjykata e shkallës së parë ka vendosur drejtë me rastin e refuzimit të kërkesëpadisë së paditëses.

Akgjykimi i anonimizuar në linkun:

https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_AA_2023-290105_SQ.pdf