Një kolegj penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, anuloi të mërkurën aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren: Ppr.143/2015, të datës 19.06.2015.
Një kolegj penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, anuloi të mërkurën aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren: Ppr.143/2015, të datës 19.06.2015, sipas të cilit, të pandehurit B.Z., i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Kolegji vendosi që çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për rivendosje. Megjithatë, personi në fjalë, do të vazhdoj të mbetet në paraburgim, deri në marrjen e një vendimi të ri.
B.Z. po dyshohet nga ana e Prokurorisë Themelore në Prizren, se në bashkëkryerje më të pandehurin B.A., ka kryer veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë, të parashikuar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 23, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata e Apelit vlerëson, se aktvendimi i shkallës së parë , i kundërshtuar me ankesë, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 383 i Kodit të Procedurës Penale.
Kjo për faktin se në arsyetimin e tij, nuk janë paraqitur të dhëna, lidhur me faktet vendimtare, që mbështesin bazat e artikulueshme, konform nenit 165 të KPP-së , për të cilat është kërkuar caktimi i paraburgimit, dhe që bëjnë të besohet se masat më të buta për sigurinë e pranisë se pandehurit, janë të mjaftueshme.