Të pandehurit A.M., i ndërpritet paraburgimi. Gjykata e Apelit, konstaton se nuk ekzistojnë arsye ligjore, që i njëjti të mbahet prapa grilave.
Gjykata e Apelit ia ka ndërprerë sot masën e paraburgimit të pandehurit A.M. Ky i fundit ditë më parë ishte shpallur fajtor nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shkak të veprës penale të kanosjes, parashikuar sipas nenit 185 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës, dhe ishte dënuar me tre muaj burgim. E njëjta gjykatë po ashtu, ndaj tij kishte caktuar masën e paraburgimit, deri sa aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Sipas vlerësimit të kolegjit penal të Apelit, nuk ka arsye ligjore për caktimin e paraburgimit konform nenit 187 par.1 nënpar1.1 e 1.2 pika 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale, ngase nuk ekziston rreziku i përsëritje së veprave penale. Kjo kur kihet parasysh fakti se gjykimi është mbajtur, dënimi iu ka shqiptuar dhe në seancën e shqyrtimit fillestarë, i pandehuri i ka pranuar veprat penale, është penduar për to, si dhe të dëmtuarve ( Arban Abrashi dhe B.M.), u ka kërkuar falje publike.
Gjykata e Apelit konstaton se nuk ka rrethana të posaçme që arsyetojnë frikën e bazuar, se me ndodhjen e tij në liri, do të mund të përsëriste veprat penale, ndaj vlerëson se masa e paraburgimit kundër të pandehurit është e pajustifikueshme.