Të enjten, me 03.12.2015, një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurit Albin Kurti.
Kështu, Apeli ka refuzuar si të pabazuar, ankesën e avokates mbrojtëse, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPR.KR.nr.413/15, të datës 28.11.2015.
I pandehuri po dyshohet nga ana e prokurorisë, për tri vepra penale: Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, neni 375 i Kodit Penal të Kosovës; Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare nga neni 409 i këtij kodi, si dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, sipas nenit 365, të të njëjtit kod.
Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore se nuk ekziston dyshimi i bazuar, nuk qëndrojnë, ngase provat të cilat i ka prezantuar prokurori, në këtë çështje juridiko-penale, si ekzaminimi i vendit të ngjarjes, fotografitë dhe video-incizimet e marra nga regjia e objektit, ku dyshohet të ketë ndodhur ngjarja, e argumentojnë dyshimin e bazuar, respektivisht, japin njohuri që do të bindte një vëzhgues objektiv, se një vepër penale ka ndodhur, dhe se personi në fjalë ka më shumë gjasë që ta ketë kryer atë, se sa mos ta ketë kryer.
Gjykata e Apelit vlerëson, se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit vetëm konform nenit 187, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale, dhe se për këtë gjykata e shkallës se parë ka dhënë arsye te qarta dhe konkrete. Fakti se i pandehuri brenda një periudhe të shkurtër kohore, dyshohet t’i ketë përsëritur veprat penale, tregon rrezikun se po të gjendej në liri, ai prapë do të vepronte njësoj.