GJYKATA E APELIT LË NË FUQI MASËN E PARABURGIMIT PËR TË DYSHUARËN ALBULENA HAXHIU

GJYKATA E APELIT LË  NË FUQI MASËN  E PARABURGIMIT PËR TË DYSHUARËN ALBULENA HAXHIU

Të premten , me 11.12.2015, një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit të Kosovës, e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurës Albulena Haxhiu.

Kështu, Apeli ka refuzuar  si të pabazuar, ankesën e avokatit  mbrojtëse, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPR.KR.nr. 413/2015,  të datës 08.12.2015.

E  pandehura  po dyshohet  nga ana e prokurorisë, për tri vepra penale: Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, neni 375  i Kodit  Penal të Kosovës; Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare  nga  neni 409 i këtij kodi, si dhe  shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, sipas nenit 365, të të njëjtit kod.

Kolegji penal vlerëson , se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit konform nenit 187, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale, dhe se  për këtë gjykata e shkallës se parë ka dhënë arsye te qarta dhe konkrete. Fakti  se e pandehura  brenda një periudhe të shkurtër kohore, dyshohet t’i ketë përsëritur veprat penale, tregon rrezikun se po te gjendej në liri, ajo prapë do të vepronte njësoj.