Të premten, me 18.12.2015, një kolegj penal prej tre gjyqtarësh nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, me anë të dy vendimeve të ndara, ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit, prej një muaji, ndaj të pandehurve Faton Topalli dhe Ismajl Kurteshi.
Në të dy rastet Gjykata e Apelit, gjeti se gjykata e shkallës së parë, ka vepruar drejtë, kur të pandehurve në fjalë, u a ka caktuar masën e paraburgimit, si në aktvendimet PPR.KR.nr.415/2015 dhe PPR.KR.nr 500/2015, të datës 14.12.2015, pasi që ata , siç del nga shkresat e lëndës, e kanë thyer masën e arrestit shtëpiak.
Faton Topalli po dyshohet nga na e prokurorisë se ka kryer veprat penale: Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 i Kodit penal të Kosovës dhe Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të pa autorizuar të armëve, sipas nenit 374, të të njëjtit kod.
Ndërsa, i pandehuri Ismajl Kurteshi, po dyshohet për veprat penale: Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 dhe Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare nga neni 409 i Kodit Penal të Kosovës.