TRE TË DYSHUAR PËR KRIM TË ORGANIZUAR MBESIN NË PARABURGIM

TRE TË DYSHUAR  PËR KRIM TË ORGANIZUAR MBESIN NË PARABURGIM

Të enjten, me 07.01.2016, një kolegj penal prej tre gjyqtarësh, i Gjykatës së Apelit, ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurve A.B., O.B., dhe S.B.

Kështu,  Apeli ka refuzuar  si të pabazuar, ankesat  e avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPR.KR.nr.550/2015, të datës 24.12.2015.

Të  pandehurit në fjalë po dyshohen  nga ana e prokurorisë se kanë kryer veprën penale: Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar nga neni 274 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale: Detyrim nga neni 267, i të njëjtit kod.

Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet e bëra në ankesa nuk qëndrojnë, ngase bazuar në shkresat e lëndës, janë plotësuar shkaqet dhe arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ashtu siç parashihen në nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale.