Gjykata e Apelit e Kosovës, të premten me 15.01.2016, ka vendosur që të akuzuarve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, t’u ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, dhe të njëjtit të lirohen për t’u mbrojtur në liri.
Kolegji penal prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, ka aprovuar si të bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, të personave në fjalë, kundër dy aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të nxjerra me 28.12.2015 dhe me 06.01.2015.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore janë të bazuara, ngase sikurse del nga shkresat e lëndës, nuk plotësohet asnjëri prej kushteve të veçanta, të parapara në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, mbi bazën e të cilave të pandehurve iu është vazhduar masa e arrestit shtëpiak.
Kjo për faktin se atyre u dihet identiteti, vendbanimi, si dhe nuk ekzistojnë rrethana tjera të cilat tregojnë se ekziston rreziku i ikjes, arratisjes, apo përsëritjes së veprës penale.