Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara ankesat a mbrojtësve të të pandehurve N.A. dhe L.M., kundër caktimit të masave të sigurisë, prej një muaji.
Kolegji penal prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, ka vendosur që të mbetet në fuqi aktvendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, i datës 26.01.2016, sipas të cilit të dyshuarit N.A. i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa të dyshuarës L.M., ajo e arrestit shtëpiak, poashtu prej 30 ditësh.
Sipas prokurorisë ndaj dy të pandehurve ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale: Vjedhje e rëndë nga neni 327, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422; Përdorim i paautorizuar i pasurisë nga neni 427 si dhe Manipulim me prova nga neni 397, i të njëjtit kod.
Kjo pasi që dyshohet se rreth 10 ditë më parë , ata në koordinim me personat tjerë, kanë plaçkitur një bankë në veri të Mitrovicës, me ç’ rast dyshohet të kenë vjedhur 320 mijë euro dhe 1000 qeqe blanko të paplotësuara, si dhe kanë marr me vete të gjitha xhirimet e video- kamerave të sigurisë.
Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazat ligjore në bazë të të cilave ka caktuar masat në fjalë.