Gjykata e Apelit e Kosovës, ka aprovuar të mërkurën me 10.02.2016, ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore të këtij qyteti PKR.nr.156/2015, të datës 18.01.2016, sipas të cilit ndaj të akuzuarës Sh.B, ishte hedhur poshtë aktakuza dhe kishte pushuar ndjekja penale.
Kolegji gjyqësor prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, ka vendosur që aktvendimi në fjalë të ndryshohet, në atë mënyrë që kërkesa e mbrojtësit të akuzuarës për hedhje të akuzuës, të refuzohet, ndërsa gjykata e shkallës së parë, të procedoj më tutje sipas aktakuzës.
E pandehura Sh.B. nga Gjakova, akuzohet nga ana e prokurorisë për veprat penale; Zbulim i fshehtësisë zyrtare, nga neni 374 i Kodit Penal të Kosovës; Shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit, nga neni 339; si dhe Cenim i fshehtësisë së korrespodencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike, nga neni 168, i të njëjtit kod.