Një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës së Apelit, ka aprovuar pjesshëm ankesat e mbrojtësve të akuzuarve E.K. dhe A.M., duke e ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë P.nr.13/2015, të datës 11.09.2015, vetëm sa i përket vendimit mbi dënim.
Kolegji në fjalë vendosi që për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, nga neni 179 par.1 nën par.1.4 dhe 1.6, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të akuzuarin e parë ta gjykoj me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 25 vjetësh, ndërsa të dytin me 22 vjet burgim. Ankesa e mbrojtësit të të miturës F.C. u refuzua si e pabazuar.
Gjykata Themelore në Prishtinë rreth 5 muaj më parë, të akuzuarit E. K. dhe A. M., si dhe të miturën F. C., i kishte shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje. Dy të parët ishin gjykuar me burgim të përjetshëm ndërsa e mitura me dënim me burgim për të mitur, në kohëzgjatje prej 9 vjet e 10 muaj.
Gjykata e shkallës së parë kishte gjetur se të njëjtit, me datë 12.10.2014, në fshatin Strofc të Vushtrrisë, më qëllim të përfitimit pasuror, në bashkëkryerje kishin privuar nga jeta të ndjerin M.A., shtetas i Republikës së Bosnjës, fillimisht duke provuar ta ngulfasin me rrip të pantallonave, e më pastaj duke e goditur me gurë në kokë. Ata i kishin marr atij edhe çantën me 200 Euro dhe disa dinar, rrobat dhe një telefon.
Gjykata e Apelit konsideron se dënimi më burgim të përjetshëm është i ashpër pasi që të akuzuarit janë të moshës relativisht të re, më parë të pa gjykuar, të gjendjes së dobët ekonomike, kanë të kryer vetëm shkollën fillore që tregon nivelin e tyre të kuptuarit të vlerave të shoqërisë, e po ashtu njëri nga ta është penduar për veprën e kryer.
Gjykata e Apelit shpreh bindjen se me dënimet e shqiptuara nga kolegji penal i kësaj gjykate ndaj të akuzuarve, në tërësi do të arrihet qëllimi i dënimit, i paraparë në nenin 41 të KPRK, e që është të parandaloj të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, të bëjë rehabilitimin e tyre , të parandaloj personat tjerë nga kryerja e veprave penale, të shpreh gjykimin shoqëror për veprën penale dhe të ndikoj në ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.