Gjykata e Apelit e Kosovës e ka vërtetuar një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 24.03.2016, sipas të cilit tre shtetas të Kosovës, ishin shpallur fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje bashkim ose pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore ose individuale jashtë territorit të Republikës së Kosovës, nga neni 3 paragrafi 3 i Ligjit 05L-002, vepër kjo e ngalur në tentativë.
Në këtë mënyrë gjykata ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e dy prej avokateve mbrojtës për ulje të dënimit, ndërsa ka hedhur poshtë si te pa lejuar, ankesën e avokatit të tretë.
Me aktgjykim të shkallës se parë i akuzuari T.I., ishte dënuar me dy vjet e katër muaj burgim, i akuzuari I.Z, dy vjet e gjashtë muaj dhe e akuzuara N.Z. po ashtu dy vjet e gjashtë muaj.
Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës se parë me rastin e caktimit të dënimit për dy të pandehurit e fundit, i ka vlerësuar drejtë të gjitha rrethanat renduese dhe lehtësuese. Ndërkaq e hodhi poshtë si te palejuar ankesën e avokatit mbrojtës të të pandehurit T.I., meqenëse palët kishin lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë, marrëveshje kjo e përpiluar me shkrim, konformë dispozitave ligjore.