Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat në rastin e të pandehurve V.B dhe I.K., duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, te datës 05.04.2016.
Sipas këtij aktgjykimi, e akuzuara V.B. është shpallur fajtore për veprën penale marrja e ryshfetit,( vepër të cilën e kishte kryer në cilësi të prokurores se shtetit), nga neni 428 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe është dënuar me 3 vjet burgim. Asaj po ashtu i është ndaluar ushtrim i funksionit në Administratën Publike, ose në Shërbimin Publik, për tri vjet.
Dy të akuzuarit tjerë te këtij rasti I.K dhe I.S., janë gjetur fajtor për veprën penale ushtrimi i ndikimit në bashkëkryerje, nga neni 431 i të njëjtit kod, për çka i parit është dënuar një vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa i dyti me tre mijë euro gjobë.
Kolegji gjyqësor i kësaj gjykate gjeti se pretendimet ankimore të të akuzuarve, mbrojtësve te tyre dhe Prokurorisë Speciale, nuk qëndrojnë dhe se gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejtë kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor dhe i ka dënuar sipas ligjit.