Gjykata e Apelit e Kosovës i ka refuzuar me 07.11.2016, ankesat e Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Z.Q. dhe ankesat e mbrojtësve të te akuzuarve Z.Q., I.B., S.T., B.B., J.K., L.K. dhe I.K.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, i datës 20.05.2016, është vërtetuar.
Në bazë të këtij aktgjykimi, shtatë të akuzuarit janë gjetur fajtor për një serë veprash penale si : rekrutimi për terrorizëm në bashkëkryerje nga neni 139 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist në bashkëkryerje, nga neni 143, lidhur me nenin 31 të këtij kodi , nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar ose etnik, nga neni 147 (Z.Q. ), si dhe mbajtja në kontroll, posedim të pa autorizuar të armëve, nga neni 374 (I.B.). Gjykata e shkallës se parë e ka dënuar Z. Q. me 10 vjet burgim, I.B. me 8, S.T. me 7 vjet e 6 muaj, B.B. me 4 vjet e 6 muaj, J.K. me 4, L.K. me 3 dhe I.K me 5.
Kolegji penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i kësaj gjykate, gjeti se pretendimet e prokurorisë, se dënimet e shqiptuara të akuzuarve janë të buta dhe pretendimet e mbrojtësve të akuzuarve, se dënimet e shqiptuara të akuzuarve janë të ashpra, janë të pabazuara, sepse nga gjykata e shkallës së parë, realisht janë vlerësuar si rrethanat lehtësuese, roli i të akuzuarve dhe kontributi i tyre në kryerjen e veprave penale, për të cilat janë shpallur fajtor. Po ashtu janë refuzuar si të bazuar edhe pretendimet tjera të avokatëve.