Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka prishur me 15.12.2016, aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 16.10.2016, me anë te se cilit, kjo e fundit e ka hedhur poshtë për shkak të jo kompetencës, padinë e Qeverisë se Republikës së Kosovës, kundër të paditurve: Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, me seli në Paris të Francës dhe Osterreichische Staatdruckerei GMBH, me seli në Vjenë të Austrisë.
Me anë të kësaj padie të ushtruar me 06.11.2014, Qeveria, kishte kërkuar që të shqyrtohet vendimi i Gjykatës se Arbitrazhit lidhur kompetencën e kësaj gjykate për të vendosur në kontestin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Osterreichische Staatdruckerei GMBH, duke propozuar anulimin e tij.
Departamenti i Çështjeve Ekonomike, i Gjykatës së Apelit, ka vendosur që kjo çështje të kthehet në rigjykim, pasi që ka gjetur shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe të drejtës materiale.
Gjykata e Apelit, konstaton se pretendimet e gjykatës se shkallës se parë se gjykatat vendore janë kompetente për te vendosur vetëm lidhur me vendimet e arbitrazhit vendor dhe jo atij të huaj, nuk qëndrojnë, pasi që ligji nuk parasheh një dallim te tillë.
Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e Kosovës ka juridiksion të vlerësojë ekzistimin e kaluzolës për arbitrazh. Kjo kompetencë buron nga Neni 14.5 i Ligjit të Kosovës për Arbitrazhin, i cili ligj është në përputhje të plotë me Konventën e Nju –Jorkut, të viti 1958, dhe Ligjin Model UNCITRAL mbi Arbitrazhin komercial ndërkombëtar.