Gjykata e Apelit e Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur me 27.02.2017, ka aprovuar si të bazuara ankesat e të pandehurve A.B., H.F. dhe G.K., kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 28.12.2016.
Aktakuza e cila i ngarkon ata për veprat penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, (A.B. dhe H.F. ) dhe marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender, (G.K.), e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është hudhur. Procedura penale ndaj tyre është pushuar.
Kjo gjykatë duke pasur parasysh provat në bazë te të cilave është ngritur aktakuza, vlerëson se në rastin konkret ato nuk mbështesin dyshimin e bazuar mirë se te pandehurit i kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen. Prandaj konform dispozitës se nenit 250 paragrafi 1, nënparagrafi 4 të Kodit të Procedurës Penale, hudhet akuza dhe pushohet procedura penale në këtë çështje.