Prishtinë, 28 korrik 2017 – Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar si të bazuar ankesën e avokatit mbrojtës, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 23.12.2016.
I akuzuari H.H. konform nenit 364 paragrafi 1, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, është liruar nga akuza se në cilësi të personit zyrtar- kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka kryer veprën penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par. 1 i Kodit Penal të Kosovës.
Kolegji profesional prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, nder të tjera ka gjetur se në rastin konkret, nuk është vërtetuar dashja direkte e të akuzuarit H.H., për të kryer veprën penale si element konstituiv i veprës, si dhe nuk është vërtetua se me veprimin e tij ka përfituar për vete apo tjetrin dobi pasurore prandaj vendosi ta liroj të akuzuarin nga përgjegjësia penale me bindje të thellë se veprimet e tij nuk hyjnë në sferën penale.