Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit për rastin Graçanica

Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit për rastin Graçanica

Kolegji i Gjykatës së Apelit i përbërë prej dy gjyqtarëve vendas dhe një gjyqtari të EULEX, i kryesuar nga gjyqtari vendas, nxori aktgjykimin me datë 26 prill 2017 për rastin PAKR 220/16.

Kjo gjykatë, me anë të këtij aktgjykimi i ka modifikuar dënimet e mëparshme. Rasti penal për të cilin është parashtruar ankesa kishte të bënte me një incident që ka ndodhur më 8 janar 2013. Një grup prej 11 pjesëtarëve të NJOS ishin caktuar për ta bërë përcjelljen e 10 të paraburgosurve të përkatësisë etnike serbe prej Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë deri në Gjykatën për Kundërvajtje. Të paraburgosurit ishin grumbulluar në hapësirën e recepcionit të Qendrës së Paraburgimit dhe ishin dërguar në parking. Derisa ishin dërguar aty, disa të paraburgosur ishin goditur dhe shqelmuar. Të paraburgosurit më pas ishin qëlluar me shuplaka dhe ishin goditur në automjete gjatë kohës që po dërgoheshin në Gjykatën për Kundërvajtje. Për më tepër, disa të paraburgosur ishin goditur dhe shqelmuar në tualetin e Gjykatës për Kundërvajtje.

 

Njëmbëdhjetë të pandehurit ishin akuzuar me 19 pika të akuzës për veprat penale të Sulmit, Kërcënimit dhe Keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike.

 

Gjykata Themelore e Prishtinës i shpalli 6 të pandehur fajtorë për disa pika të akuzës për Sulmin, Kërcënimin dhe Keqtrajtimin gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike. Ata ishin liruar nga pjesa e mbetur e akuzave, pasi që nuk ishte dëshmuar ‘përtej dyshimit të arsyeshëm’ se ata i kishin kryer këto vepra penale. Pesë të pandehurit tjerë ishin liruar nga të gjitha akuzat.

 

Të pandehurit janë ankuar ndaj aktgjykimit në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar, mes tjerash, se vepra penale e Sulmit është e përfshirë në veprën penale të Keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës ishte modifikuar dhe të pandehurit ishin liruar nga akuza për veprën penale të Sulmit ndërsa dënimet e tyre ishin ulur në përputhje me këtë.

 

Gjykata e Apelit u pajtua që vepra penale e Keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike e përfshin veprën penale të Sulmit, për shkak se të dy veprat penale në thelb e kanë të njëjtën vepër – keqtrajtimi i dikujt dhe aplikimi i forcës kundër dikujt e kanë të njëjtën natyrë. Po ashtu, si dënim të pandehurve u ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve të administratës publike apo shërbimeve publike. Mirëpo, Gjykata e Apelit vlerësoi se shqiptimi i këtij dënimi shtesë nuk ishte i domosdoshëm për ta arritur qëllimin e ndëshkimit penal. Prandaj, dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve të administratës publike apo shërbimeve publike ishte hequr për të 6 të pandehurit. Ankesa e PSRK-së ishte refuzuar.