Prishtinë, 21.11.2018 – Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 18.05.2018.
Me anë të këtij aktgjykimi, të akuzuarit B. R., I. B., E. G., M. M. dhe F. R., janë liruar nga akuza dhe atë: B. R. dhe I. B., për shkak të veprës penale, për secilën veç e veç, “Shtytja në kryerjen e veprës terroriste” nga neni 141 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të akuzuarit E. G. dhe M. M., për shkak të veprës penale, për secilin veç e veç, “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar etnik” nga neni 147 par. 2 lidhur me par. 1 të këtij kodi. Si dhe të akuzuarin F.R., për shkak të veprës penale “Thirrje për rezistencë” nga neni 411 par. 1 i të njëjti ligj, me arsyetim se me provat e procedura në shqyrtimin gjyqësor nuk është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarve përmbushën elementet e veprave penale në fjalë.
Gjykata e Apelit, pasi ka shqyrtuar ankesat e prokurorisë por edhe sipas detyrës zyrtare konstaton se aktgjykimi i shkalles se parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe se në mënyrë të drejtë dhe të plotë është vërtetuar gjendja faktike.