Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sistemi gjyqësor i Kosovës i shërben interesit publik. Ai i përket të gjithë juve, pavarësisht përkatësisë kombëtare, racore, fetare, kulturore apo gjinore.
Gjyqësori i pavarur mbron sundimin e ligjit, duke ndarë drejtësinë në mënyrë të paanshme, efikase dhe të vazhdueshme.
Njëra nga hallakat më të rëndësishme të këtij sistemi është edhe Gjykata e Apelit, e cila filloi punën më 1 janar 2013, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për gjykatat.
Duke qenë gjykatë e shkallës së dytë, kjo mblodhi në gjirin e saj gjyqtarë profesionistë nga e tërë Kosova, me bagazh të madh jetësor dhe intelektual, secili me më shumë se një dekadë përvojë pune në çështje juridike.
Nga dita e themelimit e deri me sot, tërë personeli i kësaj gjykate ka qenë dhe mbetet i angazhuar në shërbim të drejtësisë, duke dhënë atë që di dhe mundet, më shumë se sa lypset.
Përveç profesionalizmit dhe efikasitetit, unë dhe bashkëpunëtoret e mi, për çdo ditë, vëmendjen e përqendrojmë te transparenca.
Synimi ynë parësor është që, në këtë gjykatë, publiku të ketë qasje të lehtë, duke i ofruar në dispozicion të gjitha informacionet e nevojshme.
Ky portal do të jetë edhe një dritare e re në këtë drejtim. Përmes tij, Ju do keni mundësi të informoheni për të gjitha çështjet që ju interesojnë, pa pasur nevojë të vini në gjykatë. Ju do të gjeni informata të përgjithshme për numrin e lëndëve, sistemin e punës, orarin e seancave, si dhe lajme të tjera që janë në interes të publikut dhe medies.
Po ashtu përmes këtij portali, Ju të nderuar taksapagues, do ta keni një vend, ku mund ta shprehni shqetësimin tuaj për të gjitha çështjet që ndërlidhen me punën e kësaj gjykate.
Faleminderit për vëmendjen Tuaj ! Ju përshëndes.
Kryetar i Gjykatës së Apelit