Sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Kosovës, u bë përurimi i bibliotekës së kësaj gjykate.
Sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Kosovës, u bë përurimi i bibliotekës së kësaj gjykate. Në ceremoninë e rastit, të pranishmëve ju drejtua më një fjalë rasti u.d e kryetarit të Gjykatës së Apelit zonja Tonka Berishaj, e cila u shpreh tejet e kënaqur në finalizimin e këtij projekti. “Madhësia e kësaj hapësire dhe literatura që posedojmë, mund të jetë modeste, mirëpo ideja ishte që të interesuarit të shfrytëzojnë si kënd, ku do të gjejnë, jo vetëm literaturë për pasurimin e njohurive profesionale, por edhe të zhanreve të ndryshme, me vepra të autorëve të mëdhenj, shqiptar e të huaj’, tha Berishaj.
Fjalën e mori edhe përfaqësuesja e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim-UNDP-së, Valbona Bugujevci, e cila tha se hapja e bibliotekës se Gjykatës së Apelit, kompleton infrastrukturën moderne të Pallatit të Drejtësisë. “Ne jemi të bindur që përmes qasjes së shpejtë në këto punime shkencore, zyrtarët e juaj ligjorë, përfshirë edhe gjykatësit, do të zgjerojnë njohuritë dhe shkathtësitë, në punën e përditshme”, tha me tutje Bogujevci.
Më këtë rast u bë edhe promovimi i Buletinit të Praktikës Gjyqësore të Gjykatës së Apelit. Ky punim që është i pari i këtij lloji, prej themelimit të kësaj gjykate, përmban sentenca nga ato vendime gjyqësore, te cilat, konsiderohen të rëndësishme për zhvillimin dhe unifikimin e praktikes gjyqësore. Sidomos në çështjet të cilat kanë qenë dilemë për gjykatat themelore. Të dy këto projekte u mbështeten financiarisht nga UNDP, për çka stafi i gjykatës u shpreh, fort mirënjohës.