VITI 2015, I SUKSESSHËM PËR GJYKATËN E APELIT

VITI 2015, I SUKSESSHËM PËR GJYKATËN E APELIT

Gjatë vitit 2015, Gjykata e Apelit ka arritur t’i kryej më shumë se 100 % të lëndëve që kanë ardhur në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Nga viti 2014, ky departamentet  kishte trashëguar 214 lëndë, ndërsa gjatë këtij viti kanë ardhur edhe 638, që në total bëjnë 852.  Prej tyre gjykata ka arritur t’i zgjidh 670 , apo 32 lëndë më shumë se sa janë pranuar gjatë një viti

Performancë e mirë është treguar edhe në Divizionin Penal – Departamentit i Përgjithshëm, të cilin fillimi i vitit 2015, e ka gjetur me 670 lëndë të pa zgjidhura. Gjatë vitit që po e lëmë janë pranuar edhe 1641 të tjera,  që do të thotë se gjyqtarët kanë pasur në punë 2311 ankesa, ndërsa  nga kjo shifër kanë arritur t’i vendosin 1683, apo 42 më shumë se sa kanë ardhur për një vit.  Po ashtu gjykata ka arritur t’i kryej me efikasitet të lartë edhe brenda afateve ligjore të gjitha lendet që kanë të bëjnë me masat e sigurisë se të pandehurve në procedurë dhe lëndët penale të ndryshme.  

Pa asnjë lëndë të pa zgjidhur, vitin do ta përfundoj vetëm Divizioni për Kundërvajtje i Departamentit të Përgjithshëm, në të cilin ka pasur 1106  raste në punë dhe që të gjitha  janë kryer.  Po ashtu rezultate pozitive janë shënuar edhe në Departamentin për të Mitur, atë për Çështje Administrative dhe Departamentin për Çështje Ekonomike.  

Gjendje e rënduar vazhdon të mbetet  tek lëndët e lëmisë civile, të cilat gjatë vitit 2015 ishin 11 815, prej tyre 6787 lëndë të trashëguara nga vitet paraprake. Edhe pse gjyqtarët kanë arritur t’i zgjidhin 3557, shifrat tregojnë për 8258 lëndë të mbetura për vitin e ri.

Në total gjatë një viti kalendarik Gjykata e Apelit ka pasur në punë 20 408 lëndë te të gjitha lëmive, ndërsa nga to ka zgjidhur 10 867.  Në vitin 2016, kjo gjykatë do të hyjë me 9541 lëndë të pa zgjidhura.

Gjykata e Apelit e Kosovës vepron si gjykatë e shkallës së dytë, që do të thotë se i gjykon lëndët e pranuara pas ankesës nga ndonjëra prej shtatë gjykatave themelore. Përveç kësaj, kjo gjykatë vendos lidhur me konfliktin e kompetencës midis gjykatave themelore dhe çështje tjera të përcaktuara me ligj, si ankesat kundër caktimit të masave të sigurisë, penale të ndryshme etj. Gjykata e Apelit shqyrton dhe gjykon lëndët në kolegj prej tre (3) gjyqtarëve profesionistë, përveç nëse me ligj parashihet ndryshe. Në Gjykatën e Apelit, aktualisht punojnë 37 gjyqtar, të përkrahur nga 71 punëtor administrativ.