Ndryshohet aktvendimi në çështjen e të pandehurit Enver Hasani

Ndryshohet aktvendimi në çështjen e të pandehurit Enver Hasani

Një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit të Kosovës, duke vendosur në sipas ankesës së Prokurorisë Speciale, të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë PPRKR.nr. 130/2015 datë 17.12.2015, në seancën e mbajtur me 29.02.2016, ka marr vendim që aktvendimi i ankimuar të ndryshohet, ashtu që kërkesa për zbatimin e mundësisë se hetimit të veçantë, të hudhet poshtë si jo lëndore.

Gjykata e shkallës së parë, e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, për zbatimin e mundësisë së hetimit të veçantë, në çështjen penale kundër të pandehurit  Enver Hasani dhe Arta Rama, të dyshuar për veprat penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar, nga neni 422, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe Falsifikim i dokumentit zyrtar, nga neni 434, i të njëjtit kod, duke konsideruar se çështja në fjalë ka të bëjë me imunitetin funksional të kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata e Apelit konstaton se, meqenëse në këtë rast është ngritur aktakuzë, çështja e ligjshmërisë së zbatimit të hetimeve ndaj të pandehurit, por edhe kërkesës për mundësi hetuese të veçantë në drejtim të pretendimeve të palëve në procedurë, tani është jo lëndore. Kjo për faktin se hetimet kanë përfunduar me ngritje të akuzës, sipas së cilës, pavarësisht vendimit të panelit, gjykata është e obliguar të veproj, e  ku do të sqarohej edhe çështja e imunitetit.