Gjykata e Apelit e Kosovës, të premten me 20.05.2016, ka lënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për të pandehurit A.K. dhe O.K., duke e refuzuar si të pa bazuar ankesën e prokurorisë, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren – Ppr.nr.93/2016, të datës 05.05.2016.
Personat në fjalë po dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale: Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike nga neni 262 i Kodit Penal të Republikës se Kosovës dhe Prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore nga neni 226 i të njëjtit kod.
Gjykata e Apelit konstaton se gjykata e shkallës së parë, drejt ka arsyetuar dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për te cilën po hetohen, e që është kusht qenësor për caktimin e masës se arrestit shtëpiak. Po ashtu kjo gjykatë vlerëson se është vepruar drejtë edhe konform dispozitave tjera të Kodit të Procedurës Penale, të cilat e rregullojnë këtë çështje.