Kthehet në rigjykim çështja ndaj të akuzuarve A. H., V. B., A. M. dhe N. F.

Kthehet në rigjykim çështja ndaj të akuzuarve A. H., V. B., A. M. dhe N. F.

Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar si të bazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësve të akuzuarve A. H., V. B. dhe A. M.

Kolegji penal prej tre anëtarësh  ka vendosur që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe lënda t’i kthehet Gjykatës Themelore në Prishtinë në rigjykim. Kjo e fundit me anë të një aktgjykimi të datës 01.12.2015, dy të akuzuarit e parë i kishte shpallë fajtor  dhe i kishte dënuar me nga dhjetë muaj burgim me kusht, për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, neni 422 i Kodit  Penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa, i akuzuari i  tretë ishte dënuar me 6 muaj burgim efektiv për veprën penale mashtrim në detyrë, nga neni 341 i Kodit Penal të Kosovës.

Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale te dispozitave të procedurës penale dhe nuk është hartuar në përputhje me ligjin. Kjo për faktin se gjykata themelore nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare për veprat penale keqpërdorim i pozitës dhen autoritetit zyrtar për të akuzuarit A. H. dhe V. B., si dhe për veprat penale mashtrim në detyrë, për pjesën gjykuese ku i akuzuari A. M. është shpallur fajtor, dhe i akuzuari N. F. është lirua nga akuza. Lidhur me to nuk përshkruhen veprimet inkriminuese të të pandehurve si dhe qëllimi i tyre për te kryer vepër penale.