Një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, me 07.06.2016, e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë P.nr.4355/2012, të datës 25.04.2016.
Me anë të këtij aktgjykimi të akuzuarit Rexhep Selimi dhe Visar Ymeri, ishin liruar nga akuza për veprën penale lëndimi i lehtë trupor nga neni 153 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa i akuzuari B.B., për të njëjtën vepër ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 4 muaj burgim me kusht.
Gjykata e Apelit vlerësoi se ankesa e prokurorisë është e pa bazuar, duke ardhur në përfundim se me aktgjykimin e ankimuar nuk janë bërë shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, si dhe nuk është shkelur ligji penal.
Kolegji po ashtu konstatoi, se gjykata e shkallës së parë, në kuadër të kompetencave të veta ligjore, në mënyrë të drejtë e ka zbatuar ligjin e aplikueshëm në kohën e kryerjes së veprës penale, kur ka vendosur që të akuzuarit në mungesë të provave t’i liroj nga akuzat.