Për gjashtë muaj u zgjidhen afro gjashtëmijë lëndë

Për gjashtë muaj u zgjidhen afro gjashtëmijë lëndë

Gjykata e Apelit njofton opinionin publik se vazhdon të përballet me një numër jashtëzakonisht të madh të lëndëve në raport me gjyqtarë dhe staf mbështetës.

Bazuar në raportet statistikore, del se gjatë këtij gjashtëmujori të parë të vitit 2016, ky institucion ka pranuar në punë 6 341 lëndë,  të cilave kur i shtohen edhe  9 597 lëndët e trashëguara nga vitet paraprake, mbërrijnë shifrën  prej 15 938.  Falë punës dhe angazhimit të madh të gjyqtarëve dhe  punonjësve te administratës , gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur 5 506 lëndë, ndërsa të pazgjidhura aktualisht kanë mbetur edhe 10 432.  Pjesa dërmuese e tyre afro 9 mijë lëndë, janë te natyrës civile, ndërsa me to po merren vetëm 14 gjyqtarë, që i bije secili me mbi 700.

Gjykata e Apelit ashtu si vitin e kaluar është duke e vazhduar trendin e zgjidhjes në afate rekorde të rasteve nga Departamenti i  Krimeve të Rënda. Ndërsa nuk qëndron keq as në Departamentin e Përgjithshëm  – divizioni penal dhe divizioni për kundërvajtje. Punë e mirë po ashtu është bërë edhe në Departamentet për të mitur, administrativ dhe ekonomik.

            Gjykata e Apelit e Kosovës vepron si gjykatë e shkallës së dytë, që do të thotë se i gjykon lëndët e pranuara pas ankesës nga ndonjëra prej shtatë gjykatave themelore. Përveç kësaj, kjo gjykatë vendos lidhur me konfliktin e kompetencës midis gjykatave themelore dhe çështje tjera të përcaktuara me ligj. Në Gjykatën e Apelit, aktualisht punojnë 34 gjyqtar, të përkrahur nga 71 punëtor administrativ.