Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës kundër caktimit të masave të sigurisë ndaj një grupi të te dyshuarve për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë se Republikës së Kosovës, ose vepra penale të ndërlidhura me terrorizëm.
Departamenti i Krimeve të Rënda i kësaj gjykate, e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 15.01.2017, sipas të cilit paraburgimi prej një muaji, u është caktuar të pandehurve B.B,V.I., L.M.,K.P., Xh.T., L.S.,F.G.,L.G.,A.A. dhe A.Sh., ndërsa arrestit shtëpiak, të pandehurit L.V..
Sipas të njëjtit aktvendim masa e paraqitjes në stacion policor u është caktuar edhe 6 të dyshuarve tjerë të këtij rasti: L.M.,B.P.,B.I.,H.R.A.K. dhe M.Sh.
Gjykata e Apelit e Kosovës ka gjetur se pretendimet e bëra në ankesë nuk qëndrojnë, sepse nga shkresat e lëndës respektivisht nga provat e mbledhura gjer me tani sikurse janë deklaratat e të pandehurve të dhëna në polici, mjetet e sekuestruara (armë zjarri, sasi eksplozivi, municion, rroba ushtarake, dylbi, pajisje elektronike, dokumente etj.), rezulton se gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejtë, kur të pandehurve ua ka caktuar masat e lartë-cekura. Kjo ngase në këtë mënyrë përmbushen arsyet ligjore që dalin nga dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, për caktimin e tyre.