Prishtinë, 14 qershor 2017 – Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë dhe avokatit mbrojtës në çështjen e të akuzuarës V.B., duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, te datës 05.04.2016.
Sipas këtij aktgjykimi, e akuzuara V.B. është shpallur fajtore për veprën penale: “Marrja e ryshfetit”,( vepër të cilën e kishte kryer në cilësi të prokurores se shtetit), nga neni 428 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe është dënuar me 3 vjet burgim. Asaj po ashtu i është shqiptuar dënimi me gjobë prej 5.000(pesëmijë)Euro, si dhe i është ndaluar ushtrim i funksionit në Administratën Publike, ose në Shërbimin Publik, për tri vjet.
Kolegji gjyqësor i Gjykatës së Apelit, i ka ri cilësuar veprimet e dy të akuzuarve tjerë të këtij rasti I.K. dhe I.S. nga “ Ushtrim ndikimi “ në “Dhënie ryshfeti” . I pari është dënuar me një vjet burgim, ndërsa të dytit i është vërtetuar dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh.