Prishtinë, 17 tetor 2017 –Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar ankesën e palës së dëmtuar në rastin e të akuzuarit Sh.K.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë, i datës 22.06.2017, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim. Kështu, nga 13 vjet burgim sa ishte dënuar në shkallë të parë, për veprën penale “Vrasje” nga neni 178 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të akuzuarit, dënimi i është rritur në 16 vjet.
Gjykata e Apelit gjen se rrethanat të cilat i ka konstatuar gjykata e shkallës se parë, në rastin e shqiptimit të dënimit kundër të akuzuarit në fjalë, nuk janë të natyrës së atillë që të ndikojnë që atij t’i shqiptohet një dënim kaq i ultë, kur merret parasysh pesha e veprës penale, rrezikshmëria shoqërore, pasojat dhe sidomos mënyra e kryerjes se saj, në cilësi të personit zyrtar – rreshter i policisë, më armë zyrtare.