U REFUZOHET ANKESA E TË DËNUARVE ME 41 VJET BURGIM

U REFUZOHET ANKESA E TË DËNUARVE ME 41 VJET BURGIM

Një kolegj penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, dhe ato të mbrojtësve të akuzuarve F. M., R. M. dhe B.B, si dhe ankesa e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, PKR.nr.156/14 datë 18.08.2015.

Gjykata ka vendosur që aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet. Gjykata Themelore në Gjilan, të akuzuarin F. M., e kishte gjetur fajtor për vrasjen e vëllezërve F.L. dhe A.L.me 14..11.2013, në Gjilan, për çka e kishte dënuar me 25 vjet burgim si kryes të veprave penale: Vrasje e rëndë nga neni 179 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374, i të njëjtit ligj.

I akuzuari tjetër i këtij rasti R.M.  ishte dënuar me 13 vjet e gjashtë muaj burgim për veprat penale: Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë nga neni nga neni 179 lidhur me nenin 28 dhe 29 të KPRK –së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 i këtij kodi, pasi që ishte vërtetuar se ai  me qëllim të privimit nga jeta me dashje kishte  shtënë edhe në drejtim të disa personave, ku me këtë rast dy veta kishin marr lëndime të rënda trupore.

Ndërsa i akuzuari i tretë B. B. ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale: Pjesëmarrja në rrahje ngase në kohën dhe datën e njëjtë ka sulmuar të dëmtuarit.