Refuzohet si e pa bazuar ankesa e prokurorisë në rastin e tri të akuzuarave

Refuzohet si e pa bazuar ankesa e prokurorisë në rastin e tri të akuzuarave

Prishtinë, 04 tetor 2017 – Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, në rastin e të akuzuarave M.S., H.Z. dhe V.K.

Në këtë mënyrë, kolegji penal prej tre gjyqtaresh  i kësaj gjykate, e ka vërtetuar  aktgjykimin  e Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 31.05.2017, më  anë te të cilit, të akuzuarat M.S., H.Z., ishin liruar nga akuza për veprën penale  “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”  nga neni 260  i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa  V.K. për “Mosdhënie të  ndihmës mjekësore”  nga neni 261 i të njëjtit kod.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, nder të tjera thuhet se vendim  i gjykatës së shkallës se parë, është i qartë dhe konkret, në të  janë dhënë arsye për faktet vendimtare, janë arsyetuar provat dhe  drejtë  është vepruar kur është  konsideruar se në veprimet e të akuzuarave nuk qëndrojnë elementet e veprave penale për të cilat ato ishin ngarkuar. Gjykata e shkalles se parë po ashtu, ka arsyetuar secilën provë veç e veç, të njëjtat i ka ndërlidhur në mes veti duke arsyetuar faktin se përse disa provave ua ka fal besimin e disave jo, si dhe arsyeve në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështjeje penalo-juridike.