Prishtinë, 20 dhjetor 2017 – Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, në rastin e të akuzuarit M.P., për shkak të veprës penale: “Marrja e ryshfetit” nga neni 343 par.2 të Kodit Penal të Kosovës. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, i datës 29.01.2015, me anë të te cilit ai ishte liruar nga akuza, është NDRYSHUAR.
Kjo gjykatë konform dispozitave të nenit 365 të Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e shpallë FAJTOR, sepse në vitin 2012, si gjyqtar pranë Gjykatës Komunale në Gjilan, ka kërkuar nga pala e dëmtuar, e pastaj edhe pranuar, një shumë të hollash prej 2 mijë eurove, për të kryer një veprim të cilin është dashur ta kryej, në kuadër të autorizimeve të tij zyrtare.
Andaj, Gjykata e Apelit me aplikimin e dispozitave të neneve 41 dhe nenit 46 të KPRK-së, të akuzuarit i shqipton dënimin me burg në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 07.11.2012 e gjer më 04.12.2012.