Gjykata e Apelit refuzon ankesën e prokurorisë, në rastin e caktimit të masës se sigurisë, kundër katër të pandehurve

Gjykata e Apelit refuzon ankesën e prokurorisë, në rastin e caktimit të masës se sigurisë, kundër katër të pandehurve

Prishtinë, 05.04.2018 – Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e prokurorisë, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 23.03.2018, sipas të cilit ishte refuzuar kërkesa e organit të ndjekës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve D.M., Xh.S., S.Z., dhe F.P.

Të katërtit, po dyshohen se secili veç e veç ka kryer veprat penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës dhe “Mbajtje në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armeve” nga nëmi 374, i po të këtij kodi.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore të prokurorisë nuk janë të bazuara, sepse nuk janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 187 par. 1, nën-par. 1.2, pika 1.2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgim, pasi që sipas shkresave të lëndës, nuk ekziston rreziku se të pandehurit do të mund të ikin apo arratisen, iu dihet identiteti dhe vendbanimi i përhershëm, të njëjtit janë deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe se i kanë premtuar gjykatës se do të paraqiten pranë saj sa herë që do të ftohen.