Mbetet në fuqi masa e paraburgimit kundër 4 të pandehurve

Mbetet në fuqi masa e paraburgimit  kundër 4 të pandehurve

Prishtinë, 02.08.2018 – Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj katër të pandehurve.

Në këtë mënyrë gjykata e shkallës së dytë, e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 20.07.2018.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, M.M., GJ.P., S.D. po dyshohen se kanë kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273 i këtij kodi.

Ndërsa e pandehura L.Z për shkak të veprës penale “Falsifikimi i parasë në bashkëkryerje” nga neni 302 i të njëjtit ligj.

Gjykata e Apelit, gjen se gjykata e shkallës se parë, ka dhënë arsye të mjaftueshme, mbi bazën ligjore për të cilën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tyre , konform dipspozitave te nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës se Kosovës.