Prishtinë, 20.12.2018 – Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, palës së dëmtuar dhe avokatëve mbrojtës në rastin e të miturve G.H., R.G. dhe L.Ll.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 10.10.2018, është vërtetuar.
Sipas këtij aktgjykimi, të miturit G.H. për veprat penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 dhe ”Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armeve“ nga neni 374 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është dënuar më nëntë vjet e gjashtë muaj burgim.
E mitura R.G. për shkak të veprës penale “Dhënie e ndihmës së kryesit, pas kryerjes së veprës penale”, nga neni 388 i të njëjtit kod, gjykata i ka shqiptuar masën edukuese – dërgim në institucionin edukativo- korrektues, në kohëzgjatje prej tre vjetëve.
Ndërsa të miturit L.Ll. për veprën penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve” nga neni 386 i po këtij kodi, i është shqiptuar masa edukuese e mbikëqyrjes së shtuar të organit të kujdestarisë, në kohëzgjatje prej një viti e gjashtë muaj,
Kolegji për të mitur, i Gjykatës se Apelit, pasi vlerësoi pretendimet në ankesat e ushtruar gjeti se aktgjykimi në fjalë, nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë dhe nuk është shkelur ligji penal në dëm të te miturve.
Kolegji po ashtu i refuzon si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës sa i përket vendimit mbi shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur dhe masave edukative, pasi që gjykata e shkallës së parë drejtë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat.