Prishtinë, më 22.06.2022 – Gjykata e Apelit e Kosovës ia ka ashpërsuar dënimin me burgim të akuzuarit K.B., për shkak të veprës penale Vrasje nga neni 178 të KPRK-së. Kështu, nga 17 (shtatëmbëdhjetë) vite sa ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë, kjo Gjykatë të akuzuarin e ka dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 20 (njëzet) vite.
Gjykata e Apelit, deri tek ngritja e dënimit erdhi, pasi që konkludoi se gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar drejtë rrethanat rënduese, sikurse sjelljen e të akuzuarit pas kryerjes së veprës penale. Kolegji i Gjykatës së Apelit, ndër të tjera ka arsyetuar se të gjitha rrethanat rënduese, padyshim pasqyrojnë paramendimin dhe gjakftohtësinë me të cilën i akuzuari ka vepruar, por edhe mungesën e pendimit dhe keqardhjes për veprën e kryer. Për më tepër, pasojat e veprimeve të akuzuarit i kanë shkaktuar pasoja të rënda familjes së të ndjerit, pasi që tre fëmijët e mitur kanë mbetur pa përkujdesje të prindit.
Gjykata e Apelit, në këtë rast ka gjetur se në prani të rrethanave të tilla rënduese, me dënimin e ashpërsuar do të arrihet qëllimi i dënimit, ashtu siç parashohin dispozitat ligjore.