Prishtinë, 24.06.2022 – Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, ua ka vërtetuar dënimet me burgim me kusht prej dy vjetësh dhe dënimet me gjobë ndaj të akuzuarve F.S. dhe M.S., për shkak të veprës penale, si bashkëkryerës, Shpërlarja e parasë nga neni 308 dhe nenit 56 par.1 pika 1.1 dhe 1.2 të Ligjit mbi parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Gjithashtu, është vërtetuar edhe dënimi plotësues i shqiptuar nga ana Gjykatës Themelore në Prishtinë, për konfiskimin e pasurisë/sendeve të përfituara nga kryerja e veprës penale në shumën prej 946,820.84 eurove.
Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i ankimuar, nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nuk është shkelur ligji penal dhe se gjendja faktike, është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë. Kolegji konkludoi, se dënimet e shqiptuara janë në përputhje me dispozitat ligjore, dhe me të njëjtat do të arrihet qëllimi i dënimit.