Prishtinë, 27.10.2022 – Me aktgjykimin e Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarit G.S., për shkak të veprës penale, Krime lufte kundër popullsisë civile në bashkëkryerje nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), vetëm sa i përket vendimit mbi dënim.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PS.nr.11/2020 të datës 05.10.2021, është shpallur fajtor i akuzuari G.S, për shkak të veprës penale, Krime lufte kundër popullsisë civile në bashkëkryerje nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) dhe i është shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej prej 20 (njëzet) vite.
Gjykata e Apelit me aktgjykimin APS.nr.28/2022 të datës 27.09.2022, me shumicë votash e ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtësit të akuzuarit G.S., duke ndryshuar aktgjykimin e ankimuar,përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor, e ka gjykuar me dënim me burgimi në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjete) vite, ndërsa në pjesën tjetër aktgjykimi ka mbetur i pa prekur.
Sipas kolegjit të Apelit, aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, meqenëse dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, po ashtu, i njëjti është në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin dhe gjithashtu edhe përpilimi i dispozitivit, është bërë konform dispozitave të nenit 370 par. 4 e lidhur me nenin 365 të KPPK-së, ku janë përfshirë të gjitha faktet dhe rrethanat nga të cilat plotësohen të gjitha elementet e veprës penale nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ- së, për të cilën vepër penale i akuzuari G.S. është shpallur fajtor.
Në anën tjetër, në raport me vendimin mbi dënim, kolegji i Apelit ka gjetur se duke pasur parasysh edhe parimin e ndalimit të veprimit retroaktiv të ligjit penal, fakti se nuk ka bazë ligjore për shqiptimin e dënimit me burgim afatgjatë gjatë kësaj periudhe dhe parimin e zbatimit të ligjit me të favorshëm Gjykata Apelit konstatojë se për të gjitha veprat penale të krimeve të luftës dhe veprat tjera të cilat janë kryer deri me 27 tetor 2000 e për të cilat është i zbatueshëm Ligji Penal i Jugosllavisë, maksimumi i dënimit të shqiptuar me burgim është 15 vite, referuar praktikës gjyqësore, konkretisht Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, Pml.nr.138/2021, datë 05.05.2021.
Me qëllim të informimit sa më të drejtë dhe të saktë në lidhje me këtë çështje penale, në shtojcë të kësaj komunikate gjendet aktgjykimi i anonimizuar i Gjykatës së Apelit të Kosovës.