Prishtinë, 21.12.2022 – Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit për Krime të Rënda është aprovuar ankesa e mbrojtjes, ashtu që është ndryshuar aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, duke e liruar nga akuza të akuzuarin Z.E. për shkak të veprës penale Konflikt i interesit nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.95/2021 i datës 17.12.2021, i akuzuari Z.E. ishte shpallur fajtor për shkak të veprës penale Konflikt interesi nga neni 424 par.1 të KPRK-së, ashtu që ishte gjykuar me dënim me gjobë në shumë prej 4000 (katërmijë) euro.
Gjykata e Apelit – Departamenti për Krime të Rënda me aktgjykimin PAKR.nr.70/2022 të datës 12.04.2022, ka marrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Z.E., me arsyetim se veprimet e të akuzuarit nuk është provuar se janë konsumuar elementet e veprës penale, marrë për bazë faktin se themelimi i komisionit rekrutues nuk kishte krijuar konflikt interesi, duke qenë se konflikti i interesit duhet shqyrtuar rast pas rasti, dhe se benefiti financiar rezulton se është krijuar kur është lidhur kontrata dhe jo momenti i themelimit të komisionit rekrutues për të cilin veprim ngarkohej i akuzuari. Me qëllim të informimit sa më të drejtë dhe të saktë në lidhje me këtë çështje penale, në shtojcë të kësaj komunikate gjendet aktgjykimi i anonimizuar i Gjykatës së Apelit të Kosovës.