Prishtinë, 18 prill 2023, Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit Special, është aprovuar pjesërisht ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është ndryshuar, vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin, ndërsa pjesa tjetër e ankesës së Prokurorisë Speciale si dhe ankesa e të akuzuarit Z.V dhe mbrojtësit të tijë av. N.V, janë refuzuar si të pabazuara.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të Departamentit Special PS.nr.28/2022, të datës 11.11.2022, i akuzuari Z.V, për shkak të veprës penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë e kryer në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të panjohur të njësitit të përmendur rezervist të policisë serbë dhe personat e tjerë të armatosur dhe të uniformuar, është shpallur fajtor dhe është gjykuar me dënim me burgimi në kohëzgjatje prej 10 vite, të cilin dënim do ta vuan në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Gjykata e Apelit, me aktgjykimin APS.nr.50/2022, të datës 15.02.2023, ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin, ndërsa pjesa tjetër e ankesës së Prokurorisë Speciale lidhur me pretendimet për shkelje të ligjit penal si dhe ankesa e të akuzuarit Z.V dhe mbrojtësit të tijë av. N.V, janë refuzuar si të pabazuara. Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se pretendimet e lartë cekura ankimore nuk qëndrojnë e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat, sipas detyrës zyrtare kujdeset kjo gjykatë, të cilat kishin për ta kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar. Në këtë aspekt janë të pabaza pretendimet ankimore se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parapara nga neni 384 të KPP-së, ngase, dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e aktgjykimit janë dhënë arsyet e duhura mbi faktet vendimtare të kësaj çështje penale-juridike.
Më tutje gjykata e apelit konstaton se, gjykata e shkallës së parë gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përmes se cilave është provuar se i akuzuari Z.V., e ka kryer veprën penale në mënyrën e përshkruar në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar. Kolegji i Apelit vëren se thelbi i çështjes faktike ishte nëse i akuzuari është identifikuar në mënyrë të sigurt nga e dëmtuara D1, dhe a konfirmonin mjaftueshëm dëshmitë e tjera mbështetëse këtë rrethanë, pra duhet të vlerësohet efekti plotësues i këtyre dëshmive. Në këtë drejtim është shqyrtuar tërësia e të gjitha dëshmive për këtë çështje, duke i marrë në konsideratë faktorët e rëndësishëm që ndikojnë në identifikim, siç janë: mundësia e dëshmitares për të parë të akuzuarin në kohën e kryerjes së veprës penale, shkallën e vëmendjes, saktësia e përshkrimit paraprak që i bën dëshmitarja të akuzuarit, niveli i sigurisë së demonstruar gjatë dëshmisë dhe shqyrtimit gjyqësor, koha e kaluar ndërmjet veprës penale dhe identifikimit, andaj në tërësinë e këtyre faktorëve dhe dëshmive mbështetëse duhet të përcaktohet nëse është arritur që identifikimi të jetë i besueshëm, dhe i saktë nga pikëpamja objektive. Ngjarjet për të cilat dëshmoi e dëmtuara janë të natyrës traumatike, ekzistojnë pikëpamje të ndryshme lidhur me kategorinë e këtyre dëshmitarëve për të dëshmuar për këto rrethana, prej atyre të cilat konsiderojnë se ngjarjet e tilla mund të ndikojnë tek dëshmitarët që të dëshmojnë me kujtime veçanërisht të gjalla dhe të detajuara, e deri tek ato që shprehin rezerva lidhur me besueshmërinë e tyre. Nga pikëpamja njerëzore e psikologjike ngjarjet e tilla mbesin në kujtesë për kohë të gjatë, madje mund të mbesin edhe përjetësisht në varësi të intensitetit për dallim nga ndodhitë e zakonshme të cilat humbin dhe zbehen nga kujtesa për një kohë dukshëm më të shpejt.Në deponimet e saj, prej fillimit ka dhënë përshkrimin të saktë paraprak të tipareve fizike dhe dukjes që i përgjigjen në mënyrë konsekuente të akuzuarit. Gjatë gjithë dëshmive të bëra, dhe gjatë ballafaqimit në shqyrtim gjyqësor, ajo ka demonsturar se është e sigurt në identifikim, nuk ka shfaqur asnjëherë shenja pasigurie.
Gjithashtu kolegji ka vlerësuar se nën dritën e kësaj, dëshmia e dëshmitares – dëmtuarës D1, karakterizohet nga qartësia, faktet dhe rrethanat tregohen në përputhje me kronologjinë e zhvillimit dhe logjikën jetësore të ngjarjes, prej fillimit e deri tek trajtimi i saj tek mjekët pas këtyre ndodhive. Është e rëndësishme të potencohet, se dëshmitarja D1, ka dhënë fragmente të hollësishme të ngjarjes të cilat mund ti jap vetëm një person që i ka përjetuar dhe parë drejtpërdrejtë, të cilat pastaj i rrëfen në mënyrë të natyrshme.
Aspektet e tilla i japin dëshmisë jo vetëm besueshmëri, por edhe vërtetësi, saktësi dhe objektivitet. Duhet pasur parasysh se dëshmitarja D1, ka dëshmuar disa herë, dhe ajo ishte në gjendje përkundër ndjeshmërisë, komplikueshmërisë dhe përsëritjes së dëgjimeve të jep deklarata të cilat janë konsistente, pa ndonjë kundërthënie eventuale që do të mund të ngritin ndonjë dyshim në besueshmërinë e vërtetësinë e saj. Të rëndësishme në këtë kontekst, janë dëshmitë plotësuese në mbështetje të identifikimit të akuzuarit, si deponimet e dëshmitarëve A. V, M. I, SH. G, V. D., tek të cilët ishte kontrolluar pas ngjarjes dhe i’u kishte deklaruar se ishte përdhunuar nga Z.V, si dhe dëshmitari M. Xh., rrethanë të cilën e kanë dëshmuar dëshmitarët-mjekët, të cilët gjatë dëshmisë së tyre kanë konstatuar se e dëmtuara D1, kishte treguar ngjarjen pas dhunimit, përfshirë edhe emrin dhe mbiemrin e personit i cili kishte kryer veprimet inkriminues ndaj saj.
Kolegji është i bindur se dëshmitë e dëshmitarëve të sipërcekur, janë të besueshme dhe të sakta. Sekuencat e treguara, janë në përputhje me sjelljet që një mjekë do ti kishte në një rast të ngjashëm me një pacientë në rrethana të atilla të asaj kohe. Nuk kanë zbrazëtira e as mospërputhje të brendshme, deklaratat e tyre në vetvete nuk përmbajnë zbrazëtira ose mangësi të natyrës logjike janë të qarta dhe konsekuente. Në këtë vijimësi është e rëndësishme edhe dëshmia e dëshmitarit M. Xh, për shkak se bëhet fjalë për një dëshmitar i cili e kishte njohur më parë të akuzuarin, për arsye se ishte banorë i Vushtrrisë, ndërsa i akuzuari kishte punuar në shkrimoren e Gjykatës Komunale në Vushtrri. Sipas Kolegjit grupi i fakteve të përmendura nga ky dëshmitarë siç janë njohja e mëparshme e të akuzuarit në mënyrë të padyshimtë, e kishte parë pa maskë, të veshur me uniformë policore e të armatosur, e kishte parë tek varrezat e Vushtrrisë, tregojnë për faktet të cilat përputhen me ecurinë e zhvillimit të ngjarjeve dhe së bashku me dëshminë e të dëmtuarës, dhe dëshmitë e mjekëve japin një panoramë të ngjarjeve ashtu siç përshkruhen në aktakuzë dhe aktgjykimin e atakuar. Sipas Gjykatës, koha e kaluar ndërmjet veprës penale dhe identifikimit, përkundër faktit që arrestimi i të akuzuarit ka ndodhur pas një kohe të gjatë, nuk e vendos në pikëpyetje vërtetësinë e identifikimit, ngase ngjarja e datës 22 maj 1999, ishte dhe mbeti e paharruar dhe e freskët në kujtesën e të dëmtuarës. Është e njohur se viktimat e dhunës seksuale jetojnë në përditshmëri me vështirësitë për ti harruar ndodhitë e tilla, të cilat nuk mund t’ia lënë të kaluarës apo harresës. Traumat nuk e bën kujtesën e një personi për këso ngjarje jo kredibile, në fakt, ekspertizat tregojnë se përvojat intensive të këtyre ngjarjeve shpesh mbahen mend me saktësi pavarësisht disa mospërputhjeve. Në këtë aspekt faktori kohor ndërlidhet natyrshëm me faktorët e tjerë të lartpërmendur, andaj si i tillë është kompatibil dhe nuk e vënë në diskutueshmëri identifikimin. Lidhur me vendim mbi dënim Kolegji nuk ndan pikëpamjen e njëjtë me gjykatën e shkallës së parë të shprehur në aktgjykimin e ankimuar për disa rrethana, siç janë se veprën penale e ka kryer me vetëdije të plotë, kur një fakt i tillë është prezumim dhe vetëm në raste të dyshimit për gjendjen e vetëdijes atëherë mund të diskutohet, në këtë kontekst marrë parasysh edhe natyrën e veprës për të cilën është shpallur fajtor dhe rrethanat e kryerjes së veprës, kategoria e tillë e veprave penale zakonisht kryhen me vetëdije të plotë dhe kjo nuk ka qenë kontestuese. Ndërsa rrethana se vepra është kryer në kuadër të ekzistimit të konfliktit të armatosur, nuk mund të konsiderohet si rënduese, meqenëse paraqet tipar të veprës penale për të cilën është shpall fajtor dhe dënuar i akuzuari. Kolegji vëren se rrethanat në të cilat ka ndodhur vepra penale nuk janë adresuar e peshuar në masë të mjaftueshme, në kuptim të dispozitës së lartcituar, të cilat do të ndikonin në shqiptimin e dënimit më të rëndë dhe me këtë pajtohet me pikëpamjen e prokurorit. Nuk është çmuar rrethana se dhunimi është kryer në mënyrë poshtëruese e brutale në ditën kritike, përderisa viktima ishte ndarë më forcë nga fëmija i saj të cilën e mbante në krah, duke i’a kapur dhe gjuajtur në tokë, duke mos pasur në konsideratë dhe ndjenja humane as për fëmiun, pastaj duke e tërhjekur me forcë e kanë larguar në një dhomë ku ishin prezentë disa gra të tjera të dhunuara nga policë të tjerë. E dëmtuara është dhunuar nga i akuzuari dhe një policë tjetër i paidentifikuar i cili abuzonte me trupin e saj, në mënyrën siç përshkruhet në dispozitiv të aktgjykimit, andaj veprime të tilla dëshmojnë se dhunimi ishte kryer jo vetëm në mënyrë të egër, të vrazhdë por edhe poshtëruese, prandaj faktorët e tillë duhet të merren parasysh dhe të kenë ndikimin e duhur në masën e dënimit të përcaktuar. Rrjedhimisht, kjo gjykatë ka vlerësuar se këto rrethana në unitetin e tyre japin bazë të mjaftueshme që arsyetojnë shqiptimin e dënimit me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) vite, me bindjen se dënimi tani i shqiptuar është në proporcion dhe plotësisht i justifikueshëm në raport me peshën konkrete të veprës penale, rrethanave të kryerjes, shkallën e lartë të përgjegjësisë penale të akuzuarit, tek i cili është manifestuar kuantum i avancuar i vullnetit kriminal, tërësisë së sjelljes së tij kriminale dhe se me të njëkohësisht arrihet qëllimi ndëshkimor në kuptim të preventivës speciale dhe asaj gjenerale.
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2022-279529_SQ.pdf