Prishtinë, 23 qershor 2023, Gjykata e Apelit e Kosovës-Departamentit Special, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.4/2020, të datës 11.11.2022, e ka vërtetuar.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.4/2020, të datës 11.11.2022, të akuzuarit F.A. dhe G.Sh. për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 dhe 2, nënparagrafi 2.1, 2.2 dhe 2.4, lidhur me nenin 31 të KPRK, janë liruar nga akuza, pasi që nuk është është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar. Sa i përket shpenzimeve të procedurës penale është vendosur që të bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës ndërsa të dëmtuarën Qeveria e Republikës së Kosovës përmes përfaqësueses-Avokaturës së Shtetit për realizimin e kërkesës pasurore juridike e ka udhëzuar në kontest të rregullt civil.
Gjykata e Apelit, me aktgjykimin APS.nr.48/22, të datës 12.06.2023, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës se parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e të cilave u referohet në ankesë prokurori, ngase dispozitivi i aktgjykimit është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij, është i qartë dhe konkret. Gjithashtu Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet e prokurorit se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban arsye mbi faktet vendimtare lidhur me veprën penale, janë të pa qëndrueshme ngase gjykata e shkallës së parë drejtë ka vërtetuar se prokuroria ka dështuar të dëshmoj se cilat kanë qenë detyrat, autorizimet dhe përgjegjësit e të akuzuarit F.A. në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë dhe të akuzuarit G.Sh. në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë. Gjykata e shkallë se parë me të drejtë ka konstatuar se prokuroria nuk ka përcaktuar e as dëshmuar para gjykatës se si apo në çfarë mënyre të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, cilat dispozita apo akte ligjore nuk i kanë zbatuar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Pra gjykata e shkallës se parë ka bërë analizën e të gjitha provave të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta objektive, dhe të ligjshme, i aprovon edhe gjykata e shkallës së dytë. Kolegji penal i Gjykatës së Apelit gjeti se ankesa e prokurorit karakterizohet me përshkrime abstrakte dhe pa pretendime specifike të ekzistimit të shkeljeve, andaj, mbi bazën e vërtetimit të gjendjes faktike, gjykata e shkallës se parë drejtë ka aplikuar edhe ligjin penal kur të akuzuarit i ka liruar nga akuza për shkak se nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale, Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 dhe 2, nënparagrafi 2.1, 2.2 dhe 2.4, lidhur me nenin 31 të KPRK, pasi që qartazi nga provat e administruara nuk kanë rezultuar si të provuara tiparet e veprës penale të cituar me lartë dhe as që kanë qenë të përshkruara veprimet inkriminuese në dispozitiv që do të përbënin figurën e veprës penale për të cilën janë akuzuar të akuzuarit, andaj, për rrjedhojë nuk ka mundur të ketë alternativë tjetër të aplikimit të ligjit penal. Tutje kolegji i Gjykatës së Apelit është i bindur se gjykata e shkalles së parë ka arritur në përfundimin e arsyeshëm, se nga provat e zbatuara nuk është vërtetuar se të akuzuarit F.A. dhe G.Sh. kanë kaluar kompetencat e tyre apo nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, andaj, me të drejtë të akuzuarit janë liruar nga akuza për veprën për të cilën janë akuzuar.
Linku:
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2022-264905_SQ.pdf