Prishtinë, 1 nëntor 2023, Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit janë refuzuar ankesat e mbrojtëseve të të akuzuarve G.M, D.D, dhe H.M, përkitazi me vendimin mbi dënim, ndërsa ankesa e të akuzuarit G.M, është aprovuar pjesërisht, ashtu që vendimi i gjykatës së shkallës së parë është ndryshuar në raport me konfiskimin dhe kompensimin e dëmit të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktgjykimin PS.nr.28/23 të datës 04.07.2023, të akuzuarit G.M, A.M, D.D dhe H.M, i ka shpallur fajtor, për shkak se cili veç e veç ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit nga neni 422 paragrafi 2 KPRK, si dhe se cili veç e veç ka kryer veprën penale mashtrimi me subvencione nga neni 324 paragrafi 1 të KPRK, ndërsa i akuzuari H.M ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit nga neni 422 paragrafi 1 KPRK. Gjykata e shkallës së parë të akuzuarit G.M për veprën penale dhënia e ryshfetit, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 € dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej 9 muaj, në të cilin vendim i është llogaritu edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe arrest shtëpiak, i cili dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykim të bëhet i formës së prerë, ndërsa për veprën penale mashtrim me subvencione, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 5000 €, të cilin dënim do ta paguaj në afat prej 15 ditësh, por jo më gjatë se tre muaj, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, e nëse i akuzuari G.M, nuk dëshiron ta paguajë ose nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë, atëherë gjykata bazuar në nenin 46 të KPK, dënimin me gjobë mund të ia zëvendësojë në dënim me burgim, ndërsa lidhur me sendet e përfituara me vepër penale, të njëjtit i janë konfiskuar parat në vlerë 8,400.00 €. Tutje, gjykata e shkallës së parë të akuzuarit A.M, për veprën penale dhënie ryshfeti, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1000 € dhe dënim me burgim prej 6 muaj, në të cilin vendim i është llogaritur edhe koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak, por që ky dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykim të bëhet i formës së prerë, dhe me pëlqimin e të njëjtit, dënimi me burgim prej 6 muaj, i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 4000 €, të cilin dënim do ta paguajë në afat prej 15 ditësh, por jo më gjatë se tre muaj, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa për veprën penale mashtrim me subvencione, gjykata e shkallës së parë i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 5000 €, të cilin dënim do ta paguajë në afat prej 15 ditësh, por jo më gjatë se tre muaj, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, e nëse eventualisht i njëjti nuk dëshiron të paguajë ose nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë, gjykata bazuar në nenin 46 të KPK, dënimin me gjobë mund të ia zëvendësojë në dënim me burgim. Gjithashtu të akuzuarit A.M, gjykata e shkallës së parë i ka shqiptuar edhe dënim plotësues, ashtu që i njëjti është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 7000 €. Gjykata Themelore në Prishtinë të akuzuarit D.D, për veprën penale dhënie ryshfeti i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 € dhe dënim me burgim prej 6 muaj, në të cilin vendim i është llogaritur edhe koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak, ky dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykim të bëhet i formës së prerë dhe me pëlqimin e të akuzuarit D.D, dënimi me burgim prej 6 muaj, i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 4000 €, të cilin dënim do ta paguaj në afat prej 15 ditësh, por jo më gjatë se tre muaj, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa për veprën penale mashtrim me subvencione, të akuzuarit D.D i është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 5000 €, të cilin dënim do ta paguajë në afat prej 15 ditësh, por jo më gjatë se tre muaj, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nëse dënimin me gjobë i akuzuari D.D, nuk dëshiron ta paguajë ose nuk mund ta paguajë, gjykata bazuar në nenin 46 të KPK, dënimin me gjobë mund të ia zëvendësojë në dënim me burgim. Gjithashtu gjykata e shkallës së parë palën e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike, e ka udhëzuar në kontest të rregullt civil.
Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, me aktgjykimin APS.nr.44/23, të datës 30.10.2023, i ka refuzuar si të pa bazuara, ankesat e mbrojtëseve të akuzuarve G.M, av. Reshat Millaku, D.D, av. Sali Mekaj dhe H.M, av. Arbër Jashari përkitazi me vendimin mbi dënim, ndërsa ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e të akuzuarit G.M, të paraqitur përmes mbrojtësit av.Reshat Millaku, ashtu që aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.28/23 të datës 04.07.2023, e ka ndryshuar në raport me konfiskimin dhe kompensimin e dëmit të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ashtu që kompensimi të bëhet nga mjetet e konfiskuara nga i akuzuari G.M sipas urdhëresës se PPPS.nr.47/21 të dt.02.02.2022, në lartësi prej 8.400.00 €, të përcaktuara si në aktgjykimit të ankimuar. Në arsyetim të aktgjykimit Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtëseve, për një dënim me të butë nuk janë të bazuara, për faktin se gjykata e shkallës së parë me rastin e caktimi të dënimit ka vlerësuar të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit, ku për të gjithë të akuzuarit si rrethana lehtësuese ka vlerësuar pranimin e fajësisë për veprat penale për të cilat akuzohen, pendimin për kryerjen e veprës penale, bashkëpunimi dhe sjellja e tyre korrekte me gjykatën dhe me organet e ndjekjes penale dhe atë që në fazat e hershme hetimore, ku një fakt të tillë e dëshmon edhe vet përfaqësuesi i organit të akuzës, si dhe faktin që është hera e parë që bien ndesh me ligjin. Tutje, kjo gjykatë ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve nga ana e gjykatës së shkallës se parë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve si dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohen të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale. Ndërsa lidhur çështjen kompensimin të dënimit të ngritur nga mbrojtësi i të akuzuarit G.M, kolegji penal pas vlerësimit të fakteve të çështjes ka ardhur në përfundim se kërkesa e mbrojtësit është e bazuar. Për rrjedhojë, në çështjen që është objekt shqyrtimi kompensimi i dëmit financiar i shkaktuar Ministrisë së Bujqësisë, duhet të bëhet nga mjetet e konfiskuara sipas urdhëresës së gjykatës së shkallës së parë, PPPS.nr.47/21 të dt.02.02.2022 në lartësi prej 8.400.00 €, të përcaktuara si në aktgjykimin e ankimuar.
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2023-202366_SQ.pdf