Prishtinë, 17 nëntor 2023 – Kryetari i Gjykatës së Apelit Valon Totaj, në kuadër të aktiviteteve të “Ditëve të Gjyqësorit”, ku morën pjesë anëtarë të KGJK, kryetarët dhe gjyqtarët mbikëqyrës të gjykatave, administratorët e gjykatave të Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, OSBE, USAID dhe EULEX, me një fjalë rasti foli për të arriturat dhe sfidat e Gjykatës së Apelit, përgjatë vitit 2023.
Kryetari Totaj iu adresua të pranishmëve, duke theksuar se ky vit është përballur me sfida dhe vështirësi të ndryshme, megjithatë edhe efikasiteti në fusha të caktuara nuk ka munguar. Totaj potencoi se një nga qëllimet kryesore dhe thelbësore të punës së Gjykatës së Apelit të Kosovës, është që të jetë transparente, e pavarur dhe sa më efikase, në mënyrë që të ruaj besimin e publikut, duke përmbushur efektivisht rolin e saj në vënien e drejtësisë dhe sundimin e ligjit. Tutje theksoi se sfidat kryesore me të cilat është ballafaquar kjo gjykatë përgjatë këtij viti janë: përfundimi i lëndëve të vjetra, praktikat e ndryshme të vendosjes nga gjyqtarët e kësaj gjykate, pensionimi i 5 gjyqtarëve dhe 3 referentëve, dorëheqja e gjyqtarëve serb nga Divizioni i Mitrovicës, lëvizjet e vazhdueshme të stafit të gjykatës, problemet me implementimin e plotë të Sistemit për Menaxhimin Informativ të lëndëve (SMIL) si dhe aspektet e tjera teknike të cilat në një masë apo tjetër kanë pasur ndikim në punën e gjykatës duke e treguar edhe shkallën e efikasitetit të saj.
Gjithashtu Kryetari Totaj ndër të tjera u shpreh se deri sa po hyjmë në vitin 2024, është thelbësore të përvijohen objektivat kyçe që Gjykata e Apelit synon t’i arrijë, e që janë: rritja dhe plotësimi i numrit të gjyqtarëve dhe stafit tjetër përkatës administrativ, përmirësimi i kushteve të punës së gjyqtarëve, zvogëlimi i lëndëve të pazgjidhura dhe azhurimi sa më shpejtë i tyre në sistemin SMIL, përafrimi dhe harmonizimi i praktikës gjyqësore, e sipas nevojës edhe organizimi i punëtorive të tjera për këtë qëllim, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, përmirësimi i platformave digjitale dhe inovacioneve teknologjike që mund të ndikojnë në një qasje më moderne karshi çështjeve gjyqësore etj.
Totaj shtoi se përkundrejt sfidave të shumta që kemi pasur, falë angazhimit të palodhshëm të të gjithë stafit të gjykatës, kemi arritur që të njëjtat t’i trajtojmë dhe t’i tejkalojmë brenda afateve optimale, duke përmbyllur kështu një vit mjaft me suksese. Në këtë drejtim falënderoi Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i cili Gjykatës së Apelit i ka dhënë përkrahje të padiskutueshme lidhur me të gjitha kërkesat që kanë derivuar, si në shtimin e numrit të gjyqtarëve, bashkëpunëtoreve profesional dhe stafit tjetër, e po ashtu edhe realizimin e objektivave të tjera, pa përjashtuar këtu edhe procese të tjera qofshin ato të natyrës urgjente apo jo, brenda çdo mundësie dhe kapacitetit të tij.
Në fund Kryetari Totaj vuri theksin e veçantë në faktin se përmbushja e objektivave tona, varet nga të gjithë ne, se sa do të jemi të përkushtuar, konsistent dhe të devotshëm, për një sistem gjyqësor më të avancuar, më të drejtë, më profesional dhe më transparent dhe llogaridhënës. Totaj iu referua, thënies së Aleksandër Hamilton në Letrat e Federalistit, ku autori me vokacion i drejtohet popullit të Shtetit të Nju Jorkut duke kërkuar të dijë “nëse njerëzit janë ose jo me të vërtetë të zotë, që nëpërmjet arsyes dhe vullnetit të tyre, të vendosin një qeverisje të mirë, apo fati i ka caktuar përgjithnjë që në organizimin e tyre politik të varen nga rasti dhe forca”. Kjo thirrje e Hamilton, më aktuale se kur, sikur na kërkon që sot, jo nesër, ne dhe jo breza të tjerë, tani dhe pa vonesë, të veprojmë dhe të bëjmë përpjekjen e madhe që drejtësia të jetë vlera dhe shërbimi më i mirë që qytetarët tanë mund ta marrin nga gjykatat tona, duke dëshmuar se jemi ne ata që nëpërmjet arsyes dhe vullnetit, mund ta bëjmë ndryshimin e duhur, të pritur dhe të domosdoshëm.