Prishtinë, 24 nëntor 2023 – Kryetari i Gjykatës së Apelit Valon Totaj, së bashku me nënkryetaren Kadrije Goga – Lubishtani, gjyqtaren Delushe Halimi, njëherit kryesuese e Departamentit për çështje Administrative dhe gjyqtarin Kujtim Pasuli, njëherit përgjegjës i Divizionit Civil, në kuadër të aktiviteteve të “Ditëve të Gjyqësorit”, morën pjesë në panel diskutimi, i cili u udhëhoq nga kryetari i Gjykatës së Apelit.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në mbështetje të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë, ka organizuar “Ditët e Gjyqësorit”, ku në ditën e dytë morën pjesë anëtarët e KGJK, kryetarët e gjykatave, gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, dhe Gjyqtarët e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale.
Në ditën e dytë të “Ditëve të Gjyqësorit”, është diskutuar lidhur me efikasitetin e sistemit gjyqësor si dhe sfidat aktuale. Në panel diskutimi u prezantuan të gjeturat në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit për çështjet penale, civile dhe administrative. Ditët e Gjyqësorit do të vazhdojnë me ditën e tretë, në të cilën parashihet që të marrin pjesë të gjithë gjyqtarët e lëmisë penale të të gjitha niveleve.